Simbolizmi Mitologjik – Amazonat vrastare, Amazonizmi, Infanticidi!

S. Guraziu – Ars Poetica, Prill 2019

(…vetë Zeusi që t’mos e “kullufiste” babai i vet, qe fshehur në Kretë dhe do rritej me qumështin e Amaltea, i vetmi ai si foshnje pati “shpëtuar”. Dhe shih, vetë Kryezoti i mëshiruar dikur, rritet dhe pastaj s’e kupton sa “jonjerëzore” është vrasja e foshnjave…)

***
Siç e dimë (apo siç na “sugjeron” mitologjia), preokupimi kryesor i Amazonave ishte lufta, asgjë tjetër! Lufta, lufta dhe vetëm lufta! Ishin aq brutale, aq agresive, i vrisnin madje dhe vetë foshnjat e veta (nëse ato t’mos lindnin çupa). Amazonat ishin vajzat e Aresit, vajzat e Perëndisë së Luftës.

Problemi im me Amazonat është pakashumë i ngjashëm me “problemin” Palepatusit dikur. Nëse vetë një grek (që në shek. III ose IV pes.) e kishte të vështirë t’i kuptonte Amazonat, atëherë pse t’mos jetë e vështirë dhe për mua sot… 2500 vjet më vonë : )

Në vend që nëna e tyre t’na ishte psh. Erisa (apo Diskordia e romakëve, sepse ashtu dhe do ishin të qarta “gjenet e agresivitetit”, gjithçka do t’përputhej, koncepti do t’kishte sadopak kuptim), mitologjia insiston dhe na thotë se nëna e tyre ishte askush tjetër por Harmonia (ajo pra… vetë Perëndesha e Harmonisë së përjetshme dhe e Pajtimit, ose dmth. le ta përmendim dhe ekuivalentin e romakëve, Konkordia)!

Shih pra çudinë, kontradiktoren, absurdin e kulluar! Palepatusi i kishte arsyet e veta të “vështirësisë”, mua ndër të tjera më brengos bie fjala mospërputhja me “ligjin e probabilitetit”. Amazonat tërë jetën vrastare, agresive dhe të “egra”, vallë si është e mundur që asnjëra prej tyre s’i pati ngjarë “mamit”?! Asnjë trimëreshë-amazoneshë s’e pati trashëguar as dhe 1 kromozom të Harmonisë?! Diç nuk shkon, diç është ngatërruar keq – më vjen keq Hipolita, mjaft i dyshimtë i gjithë “koncepti”!

Tërë jetën merresh vetëm me luftrat e me vrasjet, dhe ta akuzosh babain për sherret e për luftrat! Apo dhe në rregull, e kuptoj pezmin dhe akuzën tuaj – e prapë, ç’faj na paskësh babai kur tekefundit detyra e tij kryesore ishte të qënit “Zot i Luftës”!
Më vjen keq Hipolita, pra siç shihet s’kam probleme ta kuptoj “konceptin e luftës”, andaj të ngushëlloj për motrën që Akili e vrau në Trojë. Natyrisht, është aq fisnike t’i ndihmosh të pafajshmit, ajo pati zgjedhur anën e drejtë.

Ja që s’duhej t’ishte përballur me Akilin. Sepse ky një arrogant i tmerrshëm, e patën paralajmëruar, edhe nëna e vet e edhe orakujt, e dinte se do vdiste, e prapë një “makinë vrastare” e pandalshme. Siç dhe ti vetë e di, krenohej dhe Aresi (babai juaj) me Akilin.

Mirëpo insistoj, dikush nga ju, së paku një (1-ra) Amazonë duhej t’i kishte ngjarë sadopak “mamit” : ) Ndonjëra nga ju do duhej ta trashëgonte sëpaku një (1) kromozom të Harmonisë. Sorry… Hipolita, kështu e kërkon ligji i “probabilitetit” universal.
Në rregull trimëria, bukuria, lavdia luftarake dhe gjithçka, ama si mund t’i vrisni foshnjat! Si mund të pranohet (nga perënditë) ideja e nënave vrastare të vetë foshnjave të tyre?! Si mund të akseptohet “koncepti i egërsisë së hipopotameshës, vrasja e vegjëlisë nga luaneshat”?! Si të pajtohet mendja e shëndoshë me konceptin që perënditë dhe vajzat e perëndive i vrasin foshnjat!

E kam të vështirë të pajtohem me “konceptin”, padyshim do jetë ndonjë ngatërrim. Si është e mundur Hipolita që një perëndi ta konsiderojë gjenocidin, apo dhe vetëm idenë filicidale?! E di, ama s’më interesojnë Saturnat e Kronusat. Krahasuar me olimpikët… titanikët ishin zotrash “barbarë”. Ende s’e patën krijuar njerëzimin, s’bënin asnjë sherr ndaj njeriut qëkur njerezimi as nuk ekzistonte. Olimpikët shtireshin aq modernë, aq të avancuar, andaj si është e mundur Hipolita… një perëndeshë ta konsiderojë gjenocidin, feticidin, filicidin!?

E di që njerëzit e bëjnë, për fat të keq ende s’jemi përkryer. Po ashtu e di që në mbretërinë shtazore është diç fare e “zakonshme”. Psh. luanët janë mbretër të animalistikave por kot prestigji e krenaria e tyre, as ata nuk hezitojnë t’i vrasin këlyshët e vet. Dhe aq shumë specie tjera; hippopotami ngryset e demonizohet, s’e vret “mendjen, thjesht i vret të vegjlit e vet.

Nga ne njerëzit vrasja e foshnjave është praktikuar ndoshta që nga zanafilla e njerëzimit (jemi thjesht vdekatarë, larg përkryerjes, kemi dhe shumë rrugë për t’bërë, s’jemi “hyjnorë” Hipolita). Ama si ta kuptojmë kur dhe hyjnorët njësoj!?
Vetë Zeusi që t’mos e “kullufiste” babai i vet, qe fshehur në Kretë dhe do rritej me qumështin e Amaltea, i vetmi ai si foshnje pati “shpëtuar”. Dhe shih, vetë Kryezoti i mëshiruar dikur, rritet dhe pastaj s’e kupton sa “jonjerëzore” është vrasja e foshnjave!

Për shumë kafshë instikti vrastar s’është diç “e veçantë”. Për ne njerëzit tingëllon aq “jonjerëzore” – ta them Hipolita, vetëm në ShBA çdo vit së paku 450 foshnja vriten nga nënat e tyre, kështu thonë raportet e FBI. Mirëpo, natyrisht, janë raste aty-këtu, rastet tona janë “të izoluara”, gjenet tona janë duke u “pastruar” (shpresoj). S’është se ato nëna të sëmura a të dëshpëruara na qenkan duke ndjekur ndonjë ritual “amazonash”.

Praktikat “tribaliste” amazonike janë po ashtu diç tjetër (anise për “kanibalizmat” e xhunglave kemi më pak fakte e të dhëna, sesa kemi për foshnjat në ShBA – meqë si shembull… kuptohet cilado Amazoni e planetit do jetë më e prapangelur me “urbanizmin e me modernizmin”, në xhungël ende s’kujdeset kush për statistikat).

Më vjen keq Hipolita, koncepti “amazonik”, i vetë vajzave të Harmonisë për t’i vrarë foshnjat ndeshet me disa rregulla bazike (qoftë dhe nëse për hir të simbolizmit të merreshin “ok”). Siç e përmendëm, koncepti ndeshet me vetë ligjin bazik të “probabilitetit” kozmik. Luani, hipopotami dhe mjaft shtazë të tjera i vrasin të vegjlit e vet, e saktë. Por nëna e Hipo-s nuk ishte Harmonia. S’ka shans… madje as Sethi (si armiku i përbetuar i njerëzores) s’ishte “babai”.

Më fal Hipolita, asgjë “personale”, respekti im ndaj teje si trimëreshë e mbretëreshë ngelet i palëkundur, por më shumë i besoj racionaliteteit të Palepatusit. Më shumë i besoj “logjikës” së një Palepatusi si pseudo-emër, sesa imagjinatës së Ovidit dhe gjithë kronistëve të dyshimtë të mitologjisë.

Palepatusi shkruante se meqë Amazonat nuk ekzistonin gjatë kohës së tij (shek. 4 – 3, pes.), ndoshta ato s’kanë ekzistuar as kurrë. Ndoshta Amazonat ishin burra, por armiqtë e tyre do i kenë ngatërruar për gra. Sepse do jenë veshur me rroba të gjata e fustanellash, do i kenë mbajtur flokët e gjatë (mbase ndonjëherë lidhur, “maskuar” disi në kokë), dhe me mjekrat e rruara xham.

Që para mitologjisë greke, mitologjia egjiptase na flet për perëndeshën Taueret, e cila konsiderohej “Perëndeshë e Lindjes dhe e Pjellorisë”. Vetë emri i saj, si domethënie “e Madhja”, “Madhështorja”, ose “e Madhërishmja” na thotë se ishte diç si atribut “paqësor” për hyjnitë e rrezikshme. Perëndesha Taueret përshkruhej si një hipopotam me atribute felinistike e krokodileske. Me fjalë të tjera, si një “hipo-pelë e Nilit me dy këmbë, e kryqëzuar me tipare të maceve të mëdha (mbase të panterës, të luaneshës, tigreshës), me gjinjtë e një gruaje, si dhe me shpinën e krokodilit të Nilit (padyshim “shpina” nënkuptonte dhe bishtin krokodilesk).

Grekët do flisnin për perëndeshën Torisa – ashtu njihej perëndesha pararendëse, Taueret. Shih pra Hipolita, a nuk të duket e tmerrshme, hipopotami i botës shtazore i vret të vegjlit e vet, ndërsa perëndesha e Pjellorisë dhe e Lindjes njerëzore i ka atributet e tij! Perëndesha e Amësisë së njerëzimit na përshkruhet më monstruoze sesa vetë Kimera e tmerrshme e Homerit!

Më vjen keq Hipolita, nisur nga mirëkuptimi për “kromozomet” e babait (Aresit), konceptin “amazonik” dhe do ta kuptoja disi. Ama vetë vajzat e Harmonisë t’i vrasin foshnjat… hm, për mua është koncept aq i pakuptimtë. Falë Harmonisë dhe vetë yjet e qiellit xixëllojnë në paqe, përjetësisht. Ndërsa ne, pothuaj si ca “thnegla” të ekzistencës kozmike duhet të vazhdojmë me monstruozitete, njësoj si ju Amazoneshat, njësoj si ju trimëreshat… “luaneshat e mitologjisë”, njësoj si Kronusi i titanikëve, si babai i vetë Zeusit… më vjen keq : )

(fotot)
Kryetrimëresha e Amazonave, Hipolita – në pop-kulturën dhe në mito-grafinë moderne amerikane, si karakter i strip-librave (libr. të vizatuar), Diana është diç si një “super-grua magjike”, duke qenë gjoja vajza e Hipolitasë dhe e Zeusit, ajo ka fuqi të jashtëzakonshme të hyjnorëve, nëse nevoja mund të përballet dhe me vetë Aresin (perëndi e Luftës në mit. greke – përndryshe i biri i Zeusit dhe i Herasë – ekuivalenti romak i Aresit ishte Marsi), nga furra hollivudeske do na vinte dhe “Wonder Woman”, 2017, Hipolita thjesht e “luan” rolin e vet mitologjik, dmth. si Mbretëreshë e Amazonave (karakter i luajtur nga aktorja daneze Connie Nielsen), ndërsa Diana, vajza e saj është gjoja duke u “rritur” dhe duke u trajnuar si luftëtare me cilësitë amazoneske, fuqitë e veta mbinjerëzore (trashëguar nga babai Zeusi) ajo do t’i zbulojë pastaj vetë, gjatë sfidave dhe aventurave tutje si “Wonder Woman”…