Sinkroni me zemrën, jo me opinionet e të tjerëve – thotë urtësia!

(sg – ap, n 21 – humoreskë – duke rrahur “filozofinë” e zgjedhjeve, qasja nr. 2)

…ky citati (ngjitur, i “tipografuar” mjaft bukur nga dikush) thotë se “jemi krijues të fuqishëm…” – një tjetër urtësi e ngjashme fliste për mundësinë e zgjedhjes: “unë zgjedh t’jetoj sipas zgjedhjes, jo sipas fatit a shansit, zgjedh t’jem i motivuar, jo i manipuluar, t’jem i dobishëm, jo i përdorur, të ofroj ndryshime, jo justifikime. Zgjedh të shquhem, jo të shtyhem me të tjerët. Zgjedh vetëbesimin, jo keqardhjen për veten. Unë zgjedh zërin e zemrës, jo opinionet e të tjerëve” — (urtësi anonime)

…anise na qenka “urtësi anonime” megjithatë e dimë se, psh. për ata urtakët e lashtësisë aq e lehtë, të tilla urtësi s’ishin dhe aq sfiduese, as për mendjen as për zemrën, bota kishte dhe gjithmonë do ketë pleq të urtë, mendimtarë, urtakë, filozofë e teoricienë, s’është e thënë se patjetër duhej t’ishin as t’jenë Aristotela, Konfuçio e Platona, thelbi është se dikur do kenë patur sa të duash kohë, në kërkim të paqes e të balansit, ulur me javë e me muaj duke medituar, balansim i “çakrave dhe botësh të trazuara” – nëse njeriu prore “mendueshëm”, nëse pandalë duke medituar, me ditë e me net, qoftë këmbëkryq a bythpërpjetë, nëse ta ketë gjetur atë qetësinë psiko-shpirtërore ehuuu… e qartë, ashtu patjetër se do shkrepin lloj-lloj mençurish e urtësish : )

…ama le t’zhvendosemi në të tashmen, le t’jemi sadopak realistë duke zbritur në “tokën e njëmendësisë”, le t’flasim për kohën tonë të bujshme, për kohën e stërngjeshur… përplot joshjesh, tundimesh e xingla-minglash, jo se e shohim në TV por e gjithë bota këndellur tashmë, nga më madhori i “apple-manisë” e deri tek vegjëlia e rezervateve të prerisë, padyshim dhe getot skaj-më-skaj Indisë, dhe vetë cullë-jashtët imagjinar (dikur) të Nënë Terezës, nëse t’frymonte realisht (si personazh) dhe vetë “Luli i vocërr” do i harronte tullumbat e leckat, s’do skajohej, as turp, s’do ishte i “varfër”, përkundrazi, do ngujohej në dritaren e “Fb-chatit”, befasi për gjithë yllkat, çupërlinat e fshatit, mini-Migjen i krenarisë, do bëhej yll e dritë…

…natyrisht, patjetër se dhe Lul-picimuli do ishte “maxi-kompjuterizuar” e modernizuar – shkurt, duke përparuar afërmendsh se dhe bota ka ndryshuar, gjithkush i ndjek hapat dhe trendet, me çunat, me çupërlinat e me picimulat e lagjes duhet t’kenë iPhone, s’na duhet dëshmi internetike as TV-marifet, fare e lehtë ta dimë që bota kurrë s’ka qenë më e përparuar se sot…

…kahdo rrotullohemi tundimet na e zënë udhën, sepse bota aq e madhe dhe aq e “vogël” njëkohësisht, tashmë secili frymorë i planetit flet me njëri-tjetrin, socio-mediatikët veç i kanë lidhur me kinezë e me eskimezë, me lulandezë e me kikirezë, shohim e ç’nuk shohim, dëgojmë e ç’nuk dëgjojmë, aq sa shpesh sikur kemi dëshirë t’ishim të shurdhër a pa veshë, sa për aso euforish “personale” e lehtë t’i kapërdijmë, ishim mësuar, na ishte i njohur fenomeni, ishte diç “klasike” dhe ia kemi dalur gjithmonë, tani s’është më e njëjta këngë, e deshëm apo s’e deshëm gjërat kanë ndryshuar, tashmë e gjithë bota e lidhur me “vegëzat”, me idetë socio-politike, me vizionet kolektive, me hiperbol-izmat, me euforistikat “masive”, nganjëherë na bëhet sikur gjithë bota “çmendurisht… crazy”…

…njohësit e trendeve moderne, por dhe futurologët, Fb-ekspertët insistojnë që t’mos përjashtohet mundësia se: ekziston mundësia dhe vetë gjyshet eskimeze tallen çdo ditë me ne, se gjoja na e hedhin me lloj-lloj maskash, jo figurativisht por ngjashëm si në maskaradat e karnavalit të Venecias, s’dihet kush prapa kujt është, parakalojnë e defilojnë me miliarda shpirtrash, face-eufori kolektive, trumpeta, valle e lloj-lloj muzikash… miliarda fytyrash të maskuara, miliarda ego e alter-ego “kacafytur” pas miliarda ëndrrash – ok mbase insistimi i tyre në këtë pikë tingëllon paksa si ekzagjerim, mirëpo s’e mohon kush faktin që e sotmja na huton me lloj-lloj dritash e muzikash, me lloj-lloj tundimesh, maskash e mrekullirash…

…dhe nëse ne të ngratët kaq të hutuar pas “hiper-realizmit”, nëse prore në vrap e duke ngarendur, jo vetëm ngarendje pas mbijetesës (gjoja vrapim “modern”, gjallim bashkëkohor) por dhe pas luksoziteteve, pas dëshirave e fluturave të mendjes… atëherë, (sikur po thosha mëvete) athua vallë na ngelet kohë ta “dëgjojmë” atë zërin e brendshëm, athua vallë jetojmë vërtet-realisht siç e thotë ky citati, apo vetëm “teorikisht”, aty-këtu në formën e urtësive tipografike, ia përkujtojmë vetes?!

…sa i përket kësaj problematike, ç’është e drejta, s’e kam idenë – sidoqoftë, e pakontestueshme urtësia që t’jetohet lidhur me “kauzën” çdosecilën ditë, qëllimisht, këmbëngultësisht i motivuar e me qëllim, pasi dhe s’duhet mohuar atë fakt-orin e madh që jemi krijues të fuqishëm, jemi kreativ sa vetë marramendja, shpikim risi e lloj-lloj xingla-minglash, kalitemi me përvojat e me zotësinë, zemrat ashtu-kështu të pandalshme, ngjeshur me ndjenjat e me ëndrrat, me planet, me iluzionet dëshirore, me ambicjet, me çmos… …dhe dihet, krijimet tona nisin që nga qëllimet, që nga aspiratat, që nga ambicjet, mrekullia e gjithë kësaj tutje ushqehet me faktin që herët a më vonë (bazuar në krijimet tona) e dimë saktësisht se kush jemi (ne vetë, pasi vështirë ta manipulojmë veten, zor t’ia hedhim vetes, apo jo)…

…pra, si pikënisje njohja e vetes do duhej t’ishte e mjaftueshme për t’u quajtur “nismë” – të kuptuarit e vetvetes mbase është ai çelësi i artë, është ai hapi i parë (fort i rëndësishëm). Hapi i dytë, padyshim s’do ndikojë aq në botën tonë të “jashtme” sa ndikon në të brendshmen, me hapin tjetër të dytë është supozuar t’i bëjmë zgjedhjet tona, të vendosim. Dhe pastaj vjen pjesa e ndërlikuar e gjithë urtësisë, hapi i tretë s’do jetë tutje për t’zgjedhur diç, por për t’i zbatuar zgjedhjet e bëra tashmë, dmth. për t’jetuar tutje strikt e konform sipas mënyrës së “përcaktuar” nga zgjedhjet tona – ku di, nëse kihet parasysh buja dhe dinamikat e kohës sonë (siç i rrahëm më lart), ideja e anashkalimit të opinioneve për t’i ngelur besnik zemrës duket aq e vështirë, duket jorealistike, pothuaj “e pamundur”, pothuaj utopi e largët, mission impossible, totalisht distopike… : )