Elisabeta Ekstravagante – “Perandoresha e Bukurisë së Përjetshme”!

S. Guraziu – Ars Poetica, S 2018

(…diç si kuriozitet: titulli i plotë monarkist i kohës austro-hungareze ishte aq i gjaaaaatë, sa duhej të përdorej “etj. etj.”, përndryshe do zgjatej në pafundësi…)

Elisabeta e Bavarisë (1837-1898), bukuroshja “Sisi” njihej gjithandej, e gjithë Evropa fliste e shushuriste për bukurinë e saj. Në histori pothuaj “konsiderohet” si perandoreshë e rinisë dhe bukurisë së përjetshme. Ose tekefundit, për më gjatë se tri dekada qe konsideruar si mbretëresha më e bukur e Evropës. Kur perandori Franz Josef (1854-1898) pati zgjedhur që pikërisht ajo të bëhej “nusja” e tij, sa e sa zemrat bavareze i pati kapluar tërmeti.

Dihej se dëshira e vullneti perandorak ishin njësoj si vullneti i perëndisë, ama sa e sa vezuvët patën shpërthyer për t’i përvëluar zemrat djaloshare, pastaj për t’i mbuluar me llavën e harresës. Djelmoshat më fatlumë, aso bukuroshër që patën qëlluar sadopak më larg, ata patën shpëtuar. Ama jo dhe nga ëndrrat. Bukuroshja “Sisi” ishte dora vetë një Sinderella, tashmë jo aso e stisur e përrallave, por e njëmendësisë. Ëndërruesit e pandreqshëm bavarezë vazhdonin me ëndërrimet. Poetëve e artistëve të Perandorisë, Elisabeta ua kujtonte vetë Aurorën, ose ndonjërën nga ato perëndeshat e mitologjisë greke-romake.

S’ka fjalë që Elisabeta ishte e bukur. Mirëpo dhe kujdesej jashtëzakonisht shumë për “ekstravagancën”, për ruajtjen e freskisë e të shkëlqimit. Tani (si spekulim i guximshëm i yni) padyshim tualetet e gjata e monotone të mëngjesit nuk i pëlqenin. S’i pëlqenin sepse mbase mund t’kenë zgjatur tërë paraditen, përkundër shërbëtoreve të panumërta që i kishte. Ndoshta as vetë Kleopatra s’kishte dikur më shumë skllave, ndihmëse e shërbëtore në pallatet e veta.

Elisabetës thjesht i pëlqenin jashtë mase veshjet e rregullimet, teleisjet e zbukurimet. I pëlqente të dukej “cool”, e kishte obsesion ruajtjen e figurës rinore e të bukurisë, ua kalonte madje dhe veseve të “stërtepëruara” të modernizmit. Elisabeta s’ia kalonte vetëm atij “pispillaçit” Versace, ndjesë pastë, jo vetëm mbesës së tij Allegra, as vetëm motrushes Donatella… por të gjithë pispillaçëve modernë, varg e varg.

Ehu, bota s’ka ngelur me 1 Versace të vetëm, rreth obsesionit me ekstravagancën lloj-lloj emrash të së tashmes do i “afroheshin” Elisabetës së dikurshme. Bie fjala Domenico Dolce, Valentino Garavani, Stefano Gabbana, Giorgio Armani, Cavalli, Calvin Klein, Ralph Lauren, Christian Dior, Cardin, Laurent, Louboutin… etj etj. Dhe lista jonë, fjala më e sinqertë, s’është vetëm listë “homoseksualësh” franko-italianë të modës, assesi jo. Në fakt, lista mund të zgjatet pafundësisht me emrash të glamurozitetit. Anise s’na duhej gjë, emrat e listës do i afroheshin… ama ashtu-kështu s’do ia kalonin Elisabetës – thjesht patëm dëshirë të vinim tek “etj. etj”.

Dallimi i vetëm me ekstravagancën moderne është se Elisabetës vërtet i kishte hije. Ashtu fare natyrshëm dhe pafajësisht i kishte hije. Njësoj siç i kishte hije psh. yllit të Hollivudit, asaj engjëllushes Monroe. Dhe prapë, jo vetëm sepse Elisabeta ishte aq e bukur, jo sepse ishte Mbretëreshë a Perandoreshë, jo sepse froni i saj në majë të Piramidës do zgjaste për 44 vjet, apo sepse i takonte “kurora supreme” e aristorkracisë evropiane…

Por sepse Elisabeta thjesht nuk “pispillosej” si këta pispillaçët modernë të ekstravagancës. Ky është dallimi dhe ka shumë rëndësi, sepse dallimi dmth. është vetë justifikimi. Sipas gjykimit tonë, nga kjo vjen dhe vetë pafajësia e saj, prandaj : )

Sidoqoftë, vdekja e të birit pati qenë goditja më e madhe në jetën e saj, kurrë më pastaj s’e mori vetën. Në kërkim të ngushëllimit Elisabeta udhëtonte (shpesh dhe në “Akilion”, ne pallatin e vet në Greqi, emërtuar sipas heroit tragjik të Homerit, Akilit).
Ishte 60-vjeç kur gjatë një udhëtimi në Gjenevë në v. 1898, qe sulmuar dhe qe therur për vdekje nga një anarkist italian. Historia thotë se vrasësit të saj s’i pëlqenin mbretëritë as aristokracitë, s’i pëlqenin as bukuria, as pafajësia. Vrastarit italian më shumë na i paskësh pëlqyer “anarkia”. S’kishte ndjerë as dhimbje, as mëshirë, as keqardhje për pafajësinë…

(ngjitur: )
[ Fotoja: Emil Rabending – Elisabeta në ditën e kurorëzimit Perandoreshë e Austrisë ]

[ Piktura: Franz X. Winterhalter (1805-1873) – Elisabeta (e Bavarisë), Perandoresha e Austrisë, 1865 ]

[ Grafika: Fashion Museum, Antwerp, Belgjikë – një shembull i “kafazit të krinolinës”, shek. XIX]

Piktura e Winterhalter thuase e paraqet një ndër fustanet më të bukur pikturuar ndonjëherë, nën të cilin Elisabeta padyshim ka të veshur dhe një “krinolinë” – pjesë e të brendshmeve për veshjet, si strukturë kompakte për t’i mbajtur fustanet në formën e dëshiruar, përdorur ndër periudha të ndryshme nga mesi i shek. XIX e tutje.

***
“Mbretëria e Ilirisë” ishte një (vend, mbretëri) njësi administrative e Perandorisë Austriake nga v.1816-1849, shtet pasardhës nga provincat ilirike të Napoleonit, i ripushtuar nga Austria në Luftën e Koalicionit të Gjashtë, dhe restauruar sipas Aktit Final të Kongresit të Vjenës. Qendra administrative e Ilirisë ishte Laibach (ose Ljubjana, kryeqyteti i sotëm i Sllovenisë – dmth. në gjerm. zyrtare, Laibach). Pothuaj del pakëz “ironike” që dhe flamuri i Ilirisë (austriake) e kishte një shqiponjë dykrenare dhe po ashtu “gjysma” ishte i kuq!

***
Diç si kuriozitet: Titulli i plotë monarkist i kohës austro-hungareze ishte aq i gjaaaatë, sa duhej të përdorej “etj etj”, përndryshe do zgjatej në pafundësi – gjatë kohës mbase pësonte ndryshime (shpesh duhej plotësuar), sidoqoftë sipas profesorit holandez J. H. W. Verzijl, ishte si vijon:

Madhëria e Tij Apostolike Perandorake dhe Mbretërore, Me Hirin e Perëndisë, Perandori i Austrisë, Mbreti i Hungarisë dhe i Bohemisë, Dalmacisë, Kroacisë, Slavonisë, Galicisë, Lodomerisë dhe Ilirisë; Mbreti i Jerusalemit, etj; Arçduka i Austrisë; Duka i Madh i Toskanës dhe Krakovit; Duka i Lorraines, i Salzburgut, i Styrisë, i Karintisë, i Karnioles dhe Bukovinës; Princi i Madh i Transilvanisë, Markonti i Moravës; Duka i Silesisë së Epërme dhe të Poshtme, Duka i Modenës, Duka i Parmasë, i Pjacenzës dhe Guastallasë, i Aushvicit dhe i Zatorit, i Teshenit, i Friolit, i Raguzës dhe i Zarës; Konti Princëror i Habsburgëve dhe i Tirolit, i Kyburgut, i Gorices dhe i Gradishtes; Princi i Trentit dhe i Briksenit; Markonti i Lusatisë së Epërme dhe të Poshtme, dhe i Istrisë; Konti i Hohnemsit, Feldkirshesë, Bregenzit, Sonenbergut etj; Lordi i Trieshtës, i Kotarit dhe në Marshin Vindic; Vojvoda i Madh i Vojvoderllëkut të Serbisë etj., etj.