Poetët janë të marrë, dhe ndjehen “nongrata”!

SG, 2011 (skicë – riciklim i buzëqeshjeve plastike për estradat)

Shkrimtari anglez Çestertoni, i nderuar me titullin mjaft fisnik “Princi i Paradokseve”, e që ishte i njohur dhe si filozof, kritik letrar dhe aso i arteve, thoshte se “poetët janë të marrë”, sipas tij poetët janë shpirtra të ngratë. Dihet se ai, gjithçka të mençur (që ishte thënë nga filozofët, poetët e shkrimtarët para tij), secilën mençuri që ia vlente, e kishte vesin ta kthente disi “mbrapsht” duke e rithënë në mënyrën e vet… tekefundit sa për t’ia dhënë një nuancë “parodizimi” a freskie.

Të pohosh se “poetët na qenkan të marrë”… kjo s’do koment, kurrë mos qoftë e vërtetë. Se poetët na qenkan shpirtra të ngratë, kjo dhe mund t’jetë sadopak e vërtetë. Padyshim do ketë pandehur se poetët s’dinë ç’janë veshjet firmato, s’dinë ç’është prestigji në “disco-bar”, s’dinë ç’është ndjenja “cool”. Edhe sikur tërë natën poshtë ballkonit të rrinë, askush s’ua var. Kot nëse t’mbanin kravata, mustaqe të gjata, kot nëse t’bëheshin duet, trio a kuartet, kot të vërtiteshin me gondolat e gjata, si trio-musketirësh me shpata, me mandolina e serenata… gjithçka kot, prapëseprapë poetët ndjehen “nongrata”.

Kuptohet, gjithçka që Çestertoni pati shkruar nga lexuesi duhet kuptuar se e kishte me gjithë mend, por athua vallë kishte të drejtë?! Ndoshta dhe po. Nëse “marrëzia e poetëve” analizohet holl e holl del pothuaj si diç e vërtetë (paçka se aso e “vërtete” në stilin e tij, qesharak)!
E vërteta qesharake mund të “nxirret” nga si vijon: Në kohën tonë të bujshme të modernizmave krijohet përshtypja sikur madje as çupërlinat e spektakleve s’i pëlqejnë lirikat e poetëve. Yjet e estradave dhe të koncerteve i preferojnë vargjet e lehta, me dy-tri rro-kje stilistike “flm për sms”, aso me rima të nxehta, shumëngjyrëshe dhe të ëmbla, “m & m”.

Kot nëse injorohet, është aso e “vërtete qesharake” e kohës sonë. Tjetër është që s’ka faj kush, gjithçka pafajësisht. Sepse për t’u bërë “stars” ka aq shumë kushte e parakushte, s’është e lehtë t’i pushtosh zemrat e miliona fansave. Do ishte mëkat të mohohej, aq të lehtë s’e kanë as “yjet”… Fillimisht duhet t’i kenë plotësuar konditat stilistike, t’i kenë kuptuar ligjet e atraktivitetit, duhet t’i kenë kryer pagesat selektive (për jurinë), duhet t’i kenë kaluar të gjitha proceset e natyrshme, të gjitha testet me audiencat, të gjitha pengesat… së paku atë shkallën e tretë të procesit “miss” etj. etj.

[ Piktura: Carl Spitzweg (1808-1885) – Poeti i varfër, 1839 ]

Carl Spitzweg (1808-1885) – Poeti i varfër, 1839