“Etiquette” e vjetër poetike, 2008

“ETIQUETTE” E VJETËR POETIKE
SG, 2008 – Skicë

Sot fëmijët në plazh klithin plot ngazëllim për suksesin me “Kullën Eiffel” të rërës, do ta festojnë sigurisht, do ketë shampanj e haviar, personalitete, fjalime e mediatikë, zyrtarisht mund të të nderojnë pikërisht Ty… me gërshërët, në ceremoninë e inaugurimit, andaj përgatitu të dukesh sa më solemn, kujdes si i mban syzet, si flet me zonjat, kujdes ç’flet, si kollitesh, si e lidh kravatën, kujdes si buzëqeshë për kamerat plastike, madje kujdes dhe mustaqet… faculetat, por sidomos kontrollo shikimet atë ditë, gazetarët e vegjël mund të të bëjnë gaz!

Pandeh ata s’e njohin vesin tënd, atë sëmundje pothuaj endokrine, kujton s’dinë gjë për “inxhinierin” e famshëm, kur këshilla kishe, panumër instruksionesh, si hapen themelet, si bartet rëra, ua nxije ditën… përziheshe në çdo gjë, si lexohen skicat dhe planet, si bëhen llogaritjet, e njëkohësisht i shihje bukuroshet e botes, çdonjërën pas tjetrës, me dhjetra e qindra në bikini venin e vinin, tek rendnin e iknin, mania jote të “shiste”, qafa jote elastike rrotullohej më mirë se vinçi i tyre plastik!

Klishetë e klubit “Matufët e Lagjes”, dhe parullat e ndryshme jashtë kontekstit, psh. “zemrat s’njohin moshë…” e të ngjashme, s’ua shet dot, zor t’i mashtrosh – kam frikë sot dhe kalamajtë mirë e dinë, Don Zhuanët e Kazanovat s’janë poetë, më parë mund t’jetë cilido Don Kishot, i marrë po… por zemra i rrahë fisnikërisht për një të vetme Dulçine, për të vërtetën e tij, qoftë dhe imagjinare, vetëm parodi!