Lufta me Ujin – Delta-Programi Kombëtar Holandez 2023

S. Guraziu – AP, Shkurt 2023

(…e ardhmja e projektit grandioz, afro 30 miliardë € investime të reja, Holanda duhet t’jetë “rezistente” ndaj ndryshimeve klimatike dhe ndaj përmbytjeve, synime reale dhe ambicje deri në v. 2050, “strategji” futuriste deri në v. 2100…)

Në v. 2008, Komisioni për Delta-Programin këshillonte se deri në vitin 2100, vendi duhet të “llogaris” në rritjen e nivelit të ujit prej 1.3 m (në Detin e Veriut). Si dhe deri në v. 2200 në rritjen e nivelit prej 4 m. Komisioni thoshte se për ta forcuar strukturën mbrojtëse kundër ujit, vendit i duhet një program masiv rindërtimi. Raporti fliste për “rezistencën” ndaj efekteve të parashikuara të ngrohjes globale në 190 vitet e ardhshme. Raporti përfshinte gjithashtu hartimin e “skenarëve të këqij” (të katastrofave), përfshinte plane për evakuimet dhe shuma deri 100 miliardë €, si investime të reja deri në v. 2100.

Vitin e kaluar (2022), Komisioneri P. C. G. Glas (Komisioner Qeveritar për Programin Delta – zyrtari përgjegjës për programin në fjalë), shkruante:
“Shkëlqesi, me një theksim të fuqishëm urgjence jua prezantoj Programin Delta 2023. Ndryshimet klimatike po ndodhin më shpejt nga sa e mendonim… Fatkeqësisht, ndryshimet klimatike po shfaqen gjithnjë e më qartë si shira ekstreme, përmbytje, nxehtësi, thatësi dhe rritje e nivelit të detit. Sikur lagështia po bëhet më e lagësht, thatësia më e thatë, nxehtësia më e nxehtë. Holanda po përballet me kufijtë e skajshëm të sistemit (natyror). Nëse vazhdojmë me ritmin aktual (të Programit), nga tani deri në v. 2050 do ngelemi mbrapa, sfidat do t’na kapërcejnë. Vetëm nëse e përshpejtojmë zbatimin në mënyrë të konsiderueshme do ta mbajmë hapin me detyrat në rritje. Deri në v. 2100, sfidat do bëhen edhe më të mëdha. Andaj duhet tani, me kohë të “rirreshtohemi” në trakën e duhur”.

Pra, sipas ekspertëve klima po ndryshon gjithnjë e më shpejtë. Deri në v. 2050, Holanda duhet t’jetë “rezistente” ndaj ndryshimeve klimatike dhe ndaj përmbytjeve. Nivelet e larta të ujit janë kërcënim serioz për zonat e ulëta të vendit. Qeveria e ka përgjegjësinë, është obligative të sigurojë që vendi t’jetë i përgatitur për mbrojtje nga përmbytjet. Holanda duhet t’jetë e sigurt në çdo kohë ndaj motit ekstrem. Qeveria bashkëpunon ngusht me banorët e vendit, me bizneset, me organizatat, me institucionet e dijes, me OJQ-të etj.

Me Programin kombëtar Delta, vendi është fokusuar në 3 detyra të ndërlidhura për ta siguruar rezistencën ndaj ndryshimeve klimatike:
1 – Siguria ndaj ujit (mbrojtja kundër përmbytjeve); 2 – Uji i pijshëm (të ketë ujë të freskët dhe të mjaftueshëm në çdo kohë); 3 – Përshtatja, adaptimi hapësinor (të aplikohet dizajn efikas për zbutjen e ndikimit në rast përmbytjesh dhe tjerash fatkeqësi natyrore).
Që llogaritur se nga 2015 deri 2050 rreth 26.5 miliardë € do t’jenë në dispozicion të Programit. Mirëpo, lidhur me inflacionin, për ruajtjen e “balansit” të duhur (mes shpenzimeve dhe buxhetit), shpenzimet duhet adaptuar scilin vit. Adaptuar me shifrën “inflative” të 2022, kostot e vlerësuara të Delta-Programit arrijnë në 29.4 miliardë €. Kjo është 2.9 miliardë € më shumë (se buxheti i supozuar paraprakisht prej 26.5 miliardë €).

Teksti i Delta-Programit 2023 thotë se holandezët punojnë të motivuar drejt qëllimeve të përbashkëta. Nuk presin të ndodhë një fatkeqësi e re për shkak të përmbytjeve ose kushteve ekstreme të motit. Duan t’jenë “përpara” fatkeqësive, përpara dëmeve të mëdha. Kjo arrihet me menaxhimin adaptiv të Delta-Programit, duke i “parë” sfidat paraprakisht dhe me kohë, duke i përcaktuar së bashku masat, duke kontrolluar vazhdimisht nëse punohet me ritmin e duhur dhe në drejtimin e duhur. Opsionet i mbajnë hapur dhe, nëse t’jetë e nevojshme, e adaptojnë strategjinë në kohën e duhur.

Palët kombëtare dhe rajonale janë duke bashkëpunuar që nga fillimi – qeveria vendore, qeveritë provinciale, bordet e menaxhimit ujor, si dhe qevritë bashkiake. Palët janë angazhuar për qëllimet e përbashkëta kombëtare dhe për zbatimin e Delta-Programit, secili mbi bazën e përgjegjësisë së vet. Duhet cekur po ashtu dhe bashkëpunimin e suksesshëm të kompanive, rajoneve të sigurisë, institucioneve të dijes, organizatave të shoqërisë civile. Kombinimi i udhëheqjes kombëtare dhe i përfshirjes madhore rajonale ka rezultuar në një formë organizative të suksesshme – thonë zyrtarët. Me të cilin organizim arrihet mbështetja e strategjive preferenciale, zbatimi energjik dhe financimi i përbashkët.

Ndërsa menaxhimi “suprem” është në duart e Komisionerit të Delta-Programit – nën përgjegjësinë politike të ministrit koordinues, Ministrit të Infrastrukturës dhe Menaxhimit të Ujërave (IenW).

Në v. 2014 do propozoheshin vendimet dhe strategjitë preferenciale rajonale të Delta-Programit, në mënyrë që të gjitha palët ta kenë të njëjtin kurs në mendje. Qenë përfshirë synimet dhe ambiciet deri në v. 2050, me një “vështrim-strategji” futuriste deri në v. 2100. Vendimet i definojnë kornizat kombëtare, ndërsa strategjitë preferenciale rajonale u japin drejtim masave. Thuhet se Programi “mban gishtin në pulsin”, dhe çdo 6 vjet vlerësohet nëse është e nevojshme të rregullohet kursi.

Tragjedia e 1953 – Nisma e Projektit Delta, dhe “Delta-Ndërtimet” (1954-1997)

Nga ana e detit për nja 3-4 shekuj pati qenë relativisht “qetësi”. Pas ndërtimit të “Afsluitdijk” (vitet 1927-1932), u zhvilluan plane për shkurtimin e vijës bregdetare (dhe për ta kthyer RMS-Deltën në një grup liqenesh). Sipas ekspertëve të kohës, në atë mënyrë (dmth. duke e shkurtuar vijën bregdetare) nevojitej ndërtimi i më pak digave. Mirëpo për shkak të “pavendosmërisë” rreth plan-projekteve të asobotëshme, si dhe për shkak të Luftës 2-të Botërore, qenë ndërmarrë pak veprime konkrete në këtë drejtim.

Lufta do sillte bombardime, shkatërrime, viktima (siç dihet, luftrat tragjedi mëvete). Pas mbarimit të luftës, pas çlirimit vendi duhej rindërtuar. Akoma pa u këndellur si duhet nga pasojat e luftës, në v. 1953 do ndodhte fatkeqësia e natyrës (natën e 31 Janarit, dhe gjatë mëngjesit të 1 Shkurtit 1953). Stuhia e fuqishme, batica dhe i presioni i ulët ajror do sillnin përmbytjen dhe tragjedinë. Rreth 20% e tokës ishte nën nivelin e detit, rreth 30% jo më lart se 1 m mbi nivelin e detit – e qartë se toka e tillë mbështetet kryesisht në digat mbrojtëse. Disa diga s’i përballuan tekat e stuhisë dhe fuqinë e valëve, në një gjatësi prej 190 km në shumë vende digat u dëmtuan e shpërthyen. Përmbytjet i mbuluan 9% të tokës bujqësore, uji i përmbyti 1365 km2 tokë.

Është llogaritur se 1835 persona e humbën jetën, dhe u desh evakuimi emergjent i 70.000 të tjerëve. Rreth 30.000 kafshë u mbytën, ndërsa 47.300 shtëpi u dëmtuan, nga të cilat 10.000 u desh të prisheshin me themel, meqë s’ia vlente riparimi.

Historia holandeze e “luftës kundër ujit” është histori e gjatë ashtu-kështu. Përmbytjet e shkaktuara nga stuhitë s’ishin diç e re, ama këtë herë kombi sikur “ngeli” nga përmasat e një fatkeqësie të tillë. Ishte fatkeqësia më e rëndë e Holandës në 300 vitet. Thuhet se rrallëherë populli t’ketë qenë aq i bashkuar – do vendosej që një katastrofë e tillë t’mos përsëritej më kurrë. Fatkeqësia e v. 1953 ishte diç si “pikë kthesë” në politikën holandeze për mbrojtjen nga përmbytjet.

| – – –

Maeslantkering (Rotterdam), 1997 – “Projekti Delta” (Deltawerken), Holandë

[ …në v. 2013 “Deltawerken” (projekti masiv, ose mega-projekti, 13 projekte së bashku) qe cilësuar si njëri ndër 5 projektet më të rëndësishme të inxhinierisë ujore të botës, realizuar gjatë 100 viteve të fundit – ca foto dhe/ose grafika të digës hidraulike “Maeslantkering” në Rotterdam, përfunduar në v. 1997, mrekullia vetë e inxhinierisë dhe e arritjeve holandeze në luftën shekullore me ujin… ]

 

[ disa foto të infrastrukturës holandeze ]

…diç si fotosh a la “dronike” …apo satelitore, bërë nga Google, publikuar në v. 2017 nga Atlas of Places (Infrastructure Patterns I)…

 

Shih dhe:

Sipas skenarit më të keq”, (video) 2016)