Edhe dashuri edhe “hulumtime”, 1 udhë e 2 punë

sguraziu – ap, mars 23 – pak humor

(vetë sikur u “çudita” pakëz, as 5% s’e dashkan Suedinë, e megjithatë Suedia “lule” krahasuar me Lulandinë : )

…kosovarët mjaft të zotët, shpesh “1 udhë e 2 punë” siç thotë populli, pas liberalizimit të vizave do ia mësyekan Zvicrës – këtë e mësova nga “indeksionline” (ata qenkan bazuar në një “hulumtim”) – sidoqoftë, ne do sqarojmë tani se të dhënat e “hulumtimit” qenkan gjeneruar nga një aplikacion i “dashurisë” (ethnic-based & meaningful dating) me emrin “Dua”, dmth. aso që instalohen në iPhone për t’u “dashuruar” : )

…më shumë se 160.000 përdorues nga Kosova e paskan instaluar “Dua”, nëpërmjet të cilit ata e gjejnë “dashurinë”, por paskan dhe tjera mundësi (jo vetëm të “duan”), aplikacioni paska dhe funksione shtesë për t’i shprehur “pëlqimet” e ndryshme – sipas pronarëve, meqë i lidhur me “negociatat e heqjes së vizave me 1 Janar 2024”, të dhënat e mbledhura paskan ofruar një “pasqyrë” (ose “hulumtim”, ashtuquajtur nga ta) mbi interesin e kosovarëve për vendet që duan t’i vizitojnë – Zvicra qenka vendi më i “dëshiruar” për vizitë (28.75%), përcjellur nga Gjermania (21.5%) dhe Suedia (4.82%) – në përgjithësi 54.77% e paskan shfaqur preferencën për rajonin gjermanofolës…

…vetë sikur u çudita pakëz, as 5% s’e dashkan Suedinë, hm mjaft e “çuditshme”, e gjithë bota mbarë e dinë se vendet skandinave janë kulmi i kulturës, pikëmaja e përparimit dhe e mirëqenies, ndërsa Zvicra pothuaj “shtet policor” hesapi, po s’i pagove dritat sakaq ia behin policia në derë, madje dhe po e harrove biletën e trenit, qoftë dhe mujore e parapaguar, prapë njësoj, të fusin në burg, ok… ekonomikisht tani i kanë punët pakëz më mirë sepse na shtiren gjoja “neutral”, i kanë ujdisur ca bankash, ca trenash e ca orësh të sakta, pothuaj 700 vite konfederale duke u munduar ta “fitojnë” besimin e botës (rreth neutralitetit), u deshën 7 shekuj mezi ia dolën, tash i mjelin jo vetëm “milkat” e Alpeve por dhe verdhushkat e gjithë botës, madje dhe ato të “drogaxhinjëve” të Kolumbisë e të Tasmanisë (shtiren s’u intereson të kujt janë, gjoja s’kanë si ta dinë se para droge janë, jane betuar gjoja besnikë neutral), vallë pse kosovarët ta zgjedhin Zvicrën para Suedisë, hm… ec e merre vesh, e megjithatë me 5% Suedia na qenka “lule” krahasuar me Lulandinë, kjo s’figuruaka as hiç, as 0% : )