SG – Relikte Shpirtrash, 2002

RELIKTE SHPIRTRASH
S. Guraziu, 2002

Kur kujtimi ta thërrmojë vetminë
vrastare duke qafuar peizazhin idilik
së bashku me buzëqeshjen tënde
një imazh afrohet butësisht
e hapë kutinë e mbyllur rëndë
me nëntë çelësa përrallash
i shpalos ëndrrat e tjetërsimit
freskun e dhimbjes, përmallimit
dhe çastet derdhen, shkrihen, përzihen
si ngjyrat mbi pikturën e gjallimit

Symbyllazi sërish gjej pak prehje
sqepi i Osirisit ma rrëmben ndërgjegjen
përtej meje, përtej amalgamës frymim,
edhe përtej… “këngëve të pakëndueme”
mbi puhizën e lehtë i rendis përkëdheljet
luaj me ngjyrën e syve, me freskun
me shkëlqimin, me thellësinë e tyre
dhe në cepat e buzëve të dremitura
i var dëshirat e pikturës – gjallim

Pastaj çdo gjë ndryshon… papritmas
qepallat e trembura i hapin rrugë natës
imazhi sheh pasqyrimin e vet
mbi vështrimin e trishtë – pasqyrë
sfondi i errët e thith gjithë idilikën
rrezet ikin fluturimthi drejt diellit
piktura thyhet dhe shqyhet njëherësh
klithma të ftohta i ngurtësojnë ngjyrat
Osirisi më gërvisht në palcën e ashtit

Kot mundohem t’i mbledh copëzat
brusha të zhytura në zymtësi
më ndjekin pas ata zëra – klithma
thirravaje – i dëgjoj vetëm unë
tek shëtis pranë varreve të qelqta
të shpirtrave – fantazma
përtej ecejakeve të kësaj bote
klithma sirenash në ishujt e vetmisë
por ky është (them) mashtrim
ankth i Odiseut në shpirtin ikanak

E vetë vdes… ngadalë, i tëhuajsuar
me largimin e imazhit dhe klithmave
ngulfatur nga ditëlindjet gënjeshtare
i lënë përgjysmë – pikturë e pluhurosur
i torturuar nga vetë shpirtrat e mi
të cilët i pata varrosur thellë
pa kortezhe, arkivole, rituale
dhe gati e pata lutur në gjunj djallin
t’i merrte peng emblemat e tyre.


Grafika: Carlos Caicedo