Shaip Beqiri – Rrënja e Dhembjes, 2012 (Koment, Fb)

RRËNJA E DHEMBJES
Shaip Beqiri

(Ali Podrimes)

Jo
Çelësin mos ia jepni

Mund të mos kthehet
Dhe mbeten mbyllur
Portat e kështjellës së heshtjes
Pa rrapëllimën e prangave të tij

Do të vijë një ditë
Lulen kaherë të këputur
Ta këputë përsëri

Lërjani hapur
Dritaret e mëdha të fjalës

Ai nuk ecte sipas yjve as erës
Vërtitej pas gurit të vet
Që e mbante pezull
Midis vetëtimash

Veç dhembjen me rrënjë e kishte
Dhe qeshjen tepër fëmijërore

Një çast u harrua matanë lumit
Me një lulëkuqe të egër
Ndërmjet nofullave

Një pëlhurë trishtimi i ra në sy
Prandaj macja që i preu udhën
Mund të mos ketë qenë e zezë

Nëpër perde tymi pa hijen e lotit

Në dorë i mbeti guaska
Që ia kishte vjedhur perlat
Duke futur bubullimat e veta

Padashur kyçi arkën
Dhe drojën në fund të saj
Për ftonjtë erëmirë të fjalës

Luzern – Prizren, 24 korrik 2012

– – –

[ Koment në Fb – Senad Guraziu commented on Shaip Beqiri’s post – Jul 8, 2019 – për hir të faqes këtu (Ars Poetica do duhej t’jetë më e saktë se Facebook, apo jo), e rregullova sadopak duke ia shtuar ë-jat : ) ]

…sipas meje, një portret, një skicë eulogjike mjeshtërore, eulogji pikturale, një portret-pikturë poetike jashtëzakonisht e bukur, Kodra psh. me brushat e veta këtë foto (që qenka ngjitur, foto si të thuash “ikonike” e dy poetëve kosovarë) do ta shihte nëpërmjet ca katrorëve herë 2-d, e herë gjoja 3-dimensionalë, do t’i ndërthurte sipas stilit “kubistik” a la Picasso… s’duhet mohuar, me kubizmat mjaft e vështirë të kapërthehet besnikërisht buzëqeshja, por ai do t’i “lidhte” ngjyrat e nuancat disi, do ta “mashtronte” disi dhe buzqeshjen, në fund do ta merrte vendimin “e kryer”, ndoshta me mendje, pse jo, do ta titullonte fare thjeshtë “portrete poetësh” – z. Shaip sikur donte t’na thoshte se portretet “portretizohen” dhe me brusha fjalësh po aq kthjellët si me laps, po aq ëmbël si ato portretet akuarelike – unë për vete sikur e “shoh” të kornizuar gjithe jetën e poetit Podrimja, thjesht ashtu me ca fjalë, qetësisht ama ngulmërisht, fare pa “zhurmë” por sistematikisht duke e ruajtur “forcën, presionin” e fjalë-brushave…
…në një vend diku, para disa viteve pata shkruar se për poezinë fjalet nuk janë “zhurmë” por janë qetësi e zhurmëshme, janë zhurmë e qetësisë për të ‘heshtur’ zhurma, pasi për poezinë fjalët janë “fjalë” akoma pa u bërë fjalë – me këtë poezi (le ta quaj Eulogji skajshmërisht e qetë poetike, meqë sipas datës… hedhur në letër pak ditë pas ikjes së poetit Podrimja) thuase z. Shaip sikur donte ta “konfirmonte” atë thënien e Simonidit, atë shprehjen e thjeshtë “poezia është pikturë (portret) me virtytin e fjalëve”…
…teknikisht, tek poezia e z. Shaip, me aq sa kam vërejtur unë, është specifike “ruajtja” e freskisë së figurave, me secilin bllok z. Shaip sikur e ka “zët” ta fuqizojë ndonjë gjë “2 herë”, thuase me këmbëngulje i shmanget tautologjisë… sinonimike, / një çast u harrua matanë “lumit” / vetem kaq i duhet z. Shaip dhe ta përmbledh gjithë dhimbjen e qenies, gjithë psiko-bagazhin dhe lëkundjet, gjithë katrahurën shpirtërore të poetit, gjithë ecejaket e “pas-harrimit”, derisa kur niset shtegut të jetëpërtejmes, derisa kur drita ri-niset rrugës së amshimit…