SG – Para-Floriadë, 2017

PARA-FLORIADË
S. Guraziu, 2017 (Skicë poetike…)

(teksa flet, buzët e saj frymëmarrje i kanë lulet, trëndafilat e pranverës… – Ovidi)

Nga Perëndimi (me taxi-qilimin e huazuar të Aladinit, i cili ka kërkuar “azil” diku në Helvetia) Zefiri i sjell njëmijë e një puhiza për të dashurën e vet në Apollonia.

Loti yt s’është lot Feniksi (gjoja i vetmi antidot për helmin e baziliskut), pse bohorritja e shpirtit Klorisa, pse të preket dhimbja, e dashura e tij është Irisa, vetë drita, kujtohu, nga sytë e saj qullet brumi i ëndrrave, aty lahen buzëqeshjet e nimfave të virgjëra, mirënjohëse i është dhe vetë Artemisa.
Të shfaqen ngjyrat ylberike dielli duhet pas shpine, Klorisa, kot dëshirat e poetit, kot vargjet, verbëria e Homerit, ktheja prapa*** diellit, do bindesh, nga pikat e shiut vilen ngjyrat e ylberit.

– – –

* Klorisa – në mit. greke, nimfë (dhe perëndeshë) e lidhur me pranverën, me lulet e me natyrën, mendohet se ajo ishte “përgjegjëse” për shndërrimin e Narcisit, Adonisit, Atisit, Krokusit… e edhe të ndokujt tjetër, në lule, Klorisa qe rrëmbyer nga Zefiri (perëndia i erës perëndimore), pasi u martuan ai e shndërroi atë në perëndeshën e njohur si Flora (mit. romake).

* Zefiri – hm, në shqip do tingëllonte pakëz “mbrapsht” mbase : ) por në mit. greke erërat nuk ishin perëndesha, ishin perëndi, dmth. jo “motra” por “vëllezër”, Zefiri ishte një nga katër erërat (anemoi) dhe ai personifikonte erën perëndimore, vëllezërit e tij ishin Boreasi (era e veriut), Eurosi (era e lindjes) dhe Notosi (era e jugut), sipas mitit, Zefiri e rrëmbeu perëndeshën Klorisa dhe i dha asaj pushtetin mbi botën e luleve.

* Irisa – në mit. greke personifikim dhe perëndeshë e ylberit, gjatë luftës së perëndive olimpiko-titanike Irisa ishte lajmëtarja e Perëndive Olimpike (dmth. përgjegjëse për postën e Zeusit, dhe të tjerëve), ndërsa motra e saj binjake Arka i pati tradhtuar Olimpianët, ajo qe bërë lajmëtarja e Titanëve. Në Iliadën e Homerit Irisa përmendet shpesh si “korrier” i perëndive, gjithsesi jo dhe në Odisenë (aty roli i korrierit i takon Hermesit). Irisa ishte e martuar me Zefirin, ky i fundit ishte i martuar dhe me bukuroshen Klorisa, kështu që sipas mitologjisë duhet supozuar se Zefiri na i paskësh patur sëpaku 2 gra “legjitime” : )
(sguraziu)

[ Piktura: William-Adolphe Bouguereau (1825-1905) – Flora (ose Klorisa) dhe Zefiri, 1875 ]

William-Adolphe Bouguereau (1825-1905) – Flora (ose Klorisa) dhe Zefiri, 1875

 

John William Waterhouse (1849-1917) – Flora (Klorisa) dhe Zefiri, 1898