Shaip Beqiri – Në Rrjetëza Fundëndrrash

(sguraziu – ars poetica, tetor 2019 – pak fjalë)

…për mua poeti Shaip Beqiri rri këmbëkryq në “panteonin” e poetëve më të mëdhenj që ka patur letërsia shqipe ndonjëherë – gjithsesi saherë ndeshem me lirikat e tij (ose dhe në përgjithësi, me lirikat e gjeneratave më të vjetra) sesi më shkon buza në gaz gjatë leximit, se ç’ka diç simpatike qasja e tyre ndaj erosit poetik (thuase ndonjë qasje pakëz e “ndrojtur”, anise nuk është, apo thuase meton të jetë e “maskuar” nën veladonin e Romanticizmit), ec e mos buzëqesh, pasi zymbylat siduket nuk çelin vetiu por duhet “zbërthyer”, dhe kur çelin zymbylat, dihet… ajri bymehet nga aromë zymbylash, mirëpo në “laboratorin” e poetikës poeti ia del t’i përziejë aromatikat më mirë sesa parfumistët e Dior, lexuesin do ta magjepsin lloj-lloj fragrancash e nuancash, intensiteti aromatik dhe olfaksioni thjesht do ta “trullosin” imagjinatën e lexuesit, psh. në poezinë “në rrjetëza…” poeti i zbërthen zymbylat, me të dyja duart madje, ama pastaj hedh në erë trëndafilash të egër prej puthjesh : )
jo pra trëndafilash të “butë” por të egër, poeti ka dëshirë të jenë të egër, jo “rosa centifolia” (një trëndafil shumë aromatik i zhvilluar nga holandezët, ndoshta vetë “mbreti trëndafilesk”, çmenden parfumistët e gjithë botës pas tij), jo… sepse ndryshe të jesh putharaç i egër, i pazbutur, sado aromatike të jetë “centifolia” (njeqindpetalja holandeze, e kultivuar në Francë, me mikroklimën e me kujdesin francez), ja që poetit me shumë i pëlqejnë trëndafilat e egër të Besianës… aq e thjeshtë është : )

NË RRJETËZA FUNDËNDRRASH
Shaip Beqiri [ 1954, Besianë – Kosovë ]

Sa fort ju kam dashur
Gra që gërvishtët me thonj
Faqen e lëmuar të jetës sime

Ndonjëra
Ndoshta edhe mua më ka dashur
Me shumë zjarr e ankth
Dhe me fshehtësi përshkuar

Ndonjërës i kam zbërthyer
Zymbylët e paprekur kurrë
Në kraharorin e ënjtur
Dhe me të dyja duart
Kam hedhur në erë
Trëdafilë të egër puthjesh

Në sytë tuaj fërgëllues
Kam soditur tek vërtiten kuturu
Galaktika ëndjesh pa mbarim
Dhe ndonjë curril i hollë gjaku
Në hon psherëtimash të këputura

Ujvara të panumërta rrëkëllyese
Që fashitin gjëmimin
Drejt zemrës së etur të tokës

Thellë ndër rrjeta rrënjash
Tash më pret gruaja gazmore
Me më ngujuar përgjithmonë
Në qelitë e veta të mërisë

[ © Sh. Beqiri, 2018 – nga vëllimi “Uragani i zhurit” – Sh. B. Konica, 2018 – Fotoja: një zymbyl, nga Interneti ]

segura

Leave a Reply

Your email address will not be published.