Carol M. Highsmith – Foto ajrore të “Central Park”, New York

(sguraziu – ars poetica, maj 2020 – pak fjalë)
…anise “Central Park” nuk është i vetmi park, natyrisht, megjithatë sikur është “frymëmarrja”, sikur i përfaqëson mushkëritë e metropolit marramendës, për Nju Jorkun është e njohur botërisht thënia “qytet i cili s’fle kurrë”, mund ta marrim me mend “pagjumësinë”, ciklin 24/7 të rrëmujës dhe jetën e një megapolisi të paskajshëm, qytet me super-dinamikat ku vërtiten, ndërthuren e gërshetohen aksionet, vrulli, ëndrrat, planet, dështimet, rënie-ngritjet, ngarendjet, ambicjet… e miliona shpirtrave – vetë s’kam qenë dhe as jetuar atje, por amerikanët e “dashuruar” në Nju Jorkun (kujdes, s’e kam fjalën për Presidentin Trump, pasi ai aq egocentrik, pa pikë turpi të gjitha lavdet njujorkeze ia hedh vetëm vetes, në një vizatim e pati vizatuar “Trump Tower” (pallatin e vet) mu në qendër të qytetit : ) …pra të “dashuruarit” thonë se është një qytet i kontrasteve të skajshme, qytet me urbanizëm rraskapitës, se është emocionues, madje dhe qytet përulës por dhe frymëzues, një nga qytetet më të vështira për t’jetuar, por nëse t’keni mbijetuar – thonë, kurrë s’do ta linit e të shkoni diku tjetër – shkurt e troç për Nju Jorkun s’duhet pyetur Presidentin Trump, të tillë ashtu-kështu ekzagjerojnë, njerëzia e rëndomtë (ata që ecin “përtoke”) na i shpalosin objektivizmat e kulluar, ata do ta përshkruajnë me terma “rrumbullakësues”, do i veshin epitete nga më të lloj-llojshmit, si madhështor, i këndshëm, perëndimor, ekspresiv, joshës, ngazëllyes, i ndryshëm, ritmik, i vrullshëm, frymëzues, i pakufijshëm, sfidues, i paharrueshëm – për pak desh harruam, natyrisht që është dhe qendër kulturore, vizionare, avangarde, artistike, financiare… e mbarë botës

…metropolisi i mrekullueshëm, aero-foto shkepur nga fotografja amerikane (tashmë 73-vjeçare) Carol Highsmith, panumër foto të saj, bërë gjithandej shteteve të ShBA, janë kataloguar në Bibliotekën e Kongresit, “syri” fotografik i Highsmith është krenaria e mbarë Amerikës…
[ fotot e Carol M. Highsmith, Library of Congress – via rawpixel.ltd ]