Shqipëria me “numra” – E di luga çfarë ka vegshi!

s. guraziu – ars poetica, maj 2020 – pak fjalë e shifra

Vallë ç’do bënte Shqipëria pa Italinë – pa Italinë assesi… por madje as pa Serbinë s’bën?! Pas Italisë Serbia është partneri më i leverdishëm ekonomik i Shqipërisë. Madje dhe Mali i Zi është partner më i mirë ekonomik sesa, bie fjala, ShBA. Eksportet e Shqipërisë në v. 2018 në Itali ishin 1.38 Miliard $, pothuaj po aq Shqipëria dhe ka importuar nga Italia. Ekonomitë e të dy vendeve kurrë s’kanë qenë më të “qafuara” e të ndërsjella, për ekonominë e Shqipërisë Italia është “motori” nr 1 i zhvillimit.

Padyshim ju kujtohet ajo zhurma e autokratëve, e profetëve etj etj. gjatë debateve “mini-shengenike” (disa gazetarë ashtu i quanin, “autokratë”, “profetë”), nga e gjithë ajo kakofoni debatike krijohej përshtypja sikur mediat shqiptare s’ia dilnin ta “kuptonin” pasionin e Ramës dhe të Serbisë për gjetjen e ndonjë marrëveshje a la “shengenike”.

Rama duke i njohur “fasulet dhe lugët e veta në kroshne” (njësoj si dhe pala serbe), sipas tij dhe sipas indikatorëve ekonomikë çfarëdo marrëveshje “a la shengenike” do ishte vetëm mirë, assesi keq! Kuptohet, “indikatorët” askush s’i ka më të qarta sesa Kryeministrat, e di luga çfarë ka vegshi – thotë ajo urtësia kosovare. Pasi ata kanë qasje në infot “taze”, secila nga ministritë dhe çdo organizëm i shtetit… është supozuar t’i raportojnë Kryeministrit. Secili Kryeministër pastaj pikërisht atë bën, i numëron “fasulet dhe lugët e veta”, apo jo.

Pra shikuar “me gjuhën e pazarit” Shqipëria s’mundet as pa Serbinë, pas Italisë Serbia është partneri më i leverdishëm ekonomik i Shqipërisë, gjatë 2018 Shqipëria ka eksportuar në Serbi 325.43 M $ (prej tyre Hekur e Çelik, 103.53 M $) – ndërsa ka importuar 283.83 M $ (është pakëz “intersante” që gjërat kryesore të blera nga Serbia janë energjia elektrike 55.88 M $, dhe drithrat 37.25 M $ ).

Numrat e statistikat sipas COMTRADE (baza e të dhënave të OKB mbi tregtinë ndërkombëtare).

Ndërsa dihet që numrat e ekonomisë së një vendi janë pakashumë ngjashëm si “temperatura e trupit” që e masim me termometër, nëse t’jetë optimale… bukur, e dimë që s’jemi të sëmurë 🙂

– Në tremujorin e 3-të të v. 2019, investimet e huaja në Shqipëri ishin 272 milionë €
– Borxhi i jashtëm i Shqipërisë në fund të v. 2019 ishte 8258.30 milionë €
– (Sipas agjencisë për statistikat e ushtarakëve), shpenzimet e Shqipërisë për armatime e për ushtrinë gjatë 2018 ishin 160 milionë $
– Gjatë 2018 Shqipëria ka regjistruar një deficit të Buxhetit Qeveritar prej 1.60% të Bruto-Prodhimit të Brendshëm, dmth. qeveria ka shpenzuar më shumë sesa “xhepi shtetëror” e lejonte.

[ gjërat që përbëjnë pjesën kryesore të vlerës importuese të Shqipërisë gjatë 2018, me të gjitha vendet, jo vetëm me Italinë e Serbinë (si e 2-ta), por dhe me Spanjën (si e 3-ta), me Gjermaninë (si e 4-ta) etj. ]
– Karburante, vajra, produkte të dist. 598.90 Milionë $ dollarë am. (10%)
– Makineri të ndryshme 476.78 M $ (8.0%)
– Automjete 424.89 M $ (7.2%)
– Pajisje elektrike, elektronike 405.79 M $ (6.8%)
– Hekur e Çelik 246.66 M $ (4.2%)
– Plastikë 241.23 M $ (4.1%)
– Produkte farmaceutike 220.49 M $ (3.7%)
– Lëkurë të papërpunuara 163.31 M $ (2.7%)
[ të gjitha të tjerat importime përbëjnë përqindëshin e “gjysmës” tjetër të importit shqiptar ]

Pasi s’mund të flitet për ekonominë e një vendi pa numrat e pa faktet, thjesht me “artikuj filozofikë” të gazetave, duke shfletuar gazeta gjithë paraditen, pastaj në mbrëmje kur t’më thërret Fevziu në “Klan Opinion” t’i shpalos të gjitha kualitetet intelektuale me super-opinione e me gjërash të padëgjuara 🙂
Fare pa të keq e mora si shembull, pasi ashtu bejnë “ekspertët-opinionistët” pakashumë, klanokraturat mediatike ashtu janë të “lidhura”… me opinione, kleptokratëve post-diktatorialë ashtu u konvenon, sa më shumë opinione e sa më pak fakte, s’bën përjashtim as “Klan-i i Sandrit”.