Artistët e Zodiakut – Demat, më të fuqishmit, më të ndjeshmit!

S. Guraziu, 2020 (astrologjikat pakëz më “ndryshe” – humoreskë)

Mësova se disa nga taureanët e njohur na qenkan mbretëresha Elizabeta (dmth. kjo aktualja, Elizabeta II, e fundit e Windsor-ëve), pastaj këngëtarja Adele, tutje Enrique Iglesias, aktori George Clooney, Fb-shefi Mark Zuckerberg, aktorja Meghan Fox, dramaturgu i madh Shakespeare… etj etj. Dhe e qartë, mua më kanë harruar, nuk figuroj në listat me Shekspirat : )

Do bëhet hera e dytë që do shkruaj për çështjet horoskopike, hera e parë ishte para 4-5 viteve. Atëherë pata komentuar rreth “Luanëve” të Shtëpisë së Bardhë… kësaj radhe do komentoj rreth Demave (Taurus-ave – dmth. emri origjinal, latinisht për “demat”).
Po lexoja diç dhe kuptova që në njëfarë mënyre kam vajtur pakëz “dëm”, s’i kam njohur mirëfilli. Do kalojë gjysmë shekulli dhe ende t’mos i njoh… vërtet do ishte turp. Andaj do shkruaj sadopak më seriozisht, meqë Demat më “brirosin” dhe mua vetë.

Mos vallë vërtet t’kem vajtur pakëz “dëm”, s’kam ditur ama Demat na qenkan vetë “artistët e zodiakut” (ky detaj me gjasë dhe më “frymëzoi” për lapsin). Përfituakan nga hiper-ndjesia dhe ndjenja e bukurisë, nga ndjeshmëria e tyre e lindur për t’i manifestuar ëndrrat e tyre.
Sidoqoftë, njësoj si akëcila shenjë tjetër, edhe këta i paskan ditët e mira dhe të këqija. Ditëve të diellosura, Demat qenkan të besueshëm, këmbëngulës, punëtorë dhe të qëndrueshëm. Qenkan gjithashtu me vullnet të fortë, s’qenka mirë të “lozet” me ta, u dashka kujdes që t’mos nëpërkëmben as ndjenjat as karakteri i tyre.

Simboli që i përfaqësuaka Demat qenka koka e tyre vetë, dmth. shenja e vizatuar si kokë demash ashtu me brirët e mprehtë (jo patjetër për shkak të kokëfortësisë). Dhe “koka” e tyre qenka shenja e parë e Tokës që u shfaqka në zodiak.

Tiparet kryesore të tyre, le ta përsërisim, qenkan këmbëngultësia, puna e palodhshme dhe kokëfortësia.
Ndodhka dhe “ndryshe” por zakonisht qenkan kokëfortë, sensualë, këmbëngulës dhe të vendosur. Duke qenë shenjë e Tokës, shenja e Demave (dmth. koka me brirët) qenka një shenjë fikse (e fiksuar, o me gozhdë o me vida), prandaj dhe u karakterizuakan me qëndrueshmërinë, me stoicizmin.

Sa i përket përcaktimit të “fuqisë” së shenjave, si standarde astrologjike merren vetëkontrolli dhe ndikimi shoqëror, këto dy “shtylla” janë tejet të rëndësishme. Atëherë, sipas eskpertëve ndër shenjat më të fuqishme të zodiakut qenkan Demi, Luani, Akrepi, Shigjetari dhe Bricjapi. Pikërisht sipas radhitjes. Demat qenkan prijatarët, qenkan shenja e paarritshme. Taurus-at qenkan 1-shi, u konsideruakan si shenja më e fuqishme e zodiakut.
Pikat e tyre të forta përfshikan prakticitetin, durimin, përkushtimin, përgjegjësinë etj etj.

Taureanët qenkan të dashur dhe besnikë, miq shumë të mirë dhe mjaft të besueshëm. Iu pëlqyeka t’i analizojnë situatat dhe ta përcaktojnë këndvështrimin personal, e tirrkan bukur holl përpara se t’i shprehin pikëpamjet e tyre. Kjo qasje “analitike” i bëka mjaft kokëfortë, aq sa vështirë ngelen gjasa ta ndryshoni mendjen e tyre.

Gjithsesi, patjetër dhe Demat duhet të kenë dobësi, ose pika të “dobëta” – po thosha mëvete. Dhe po, njëra nga dobësitë na qenka problematika e hedonistikave, e thënë ndryshe i pëlqyekan si fort gjërat e ëmbla, i adhuruakan ëmbëlsirat e butësirat, iu pëlqyeka së tepërmi t’i shijojnë kënaqësitë.
Meqë shenja e Demave qenka një shenjë e Tokës (ç’do t’thotë kjo, s’e kemi mirëfilli idenë por), kjo i bëka ata statikë, dembelë, materialistë apo të lidhur me zotërimet materiale.

Veç e thamë, iu pëlqyeka analizimi i gjithçkaje, kjo qasje e përjetshme vetëm sa e rritka kokëfortësinë, sigurinë, vetëbesimin e tyre. Vështirë ta merrkan “jo-në” si përgjigje, qenka i njohur fakti se ndjekin gjithçka që iu pëlqen, ia dalin me gjithçka që synojnë dhe o e kryejnë punën si duhet, o s’bën.
Demave iu pëlqyeka ta ruajnë paqen e qetësinë, ia dilkan pothuaj përherë të ngelin të qetë, pothuaj njësoj si Paqësori, si Pacifiku i paskajshëm. As dallgë, as ngrysje as stuhi, rehati për lakmi. Mirëpo nëse ndokush t’i ketë provokuar mjaftueshëm, ia dilkan dhe të zemërohen. Tjetër që s’iu pëlqyeka të ndodhë, dhe pra e qartë, s’u dashka tepruar me testimin e durimit të tyre.

Nëse t’jetë nevoja që ndonjë punë a detyrë t’kryhet sa më mirë, atëherë patjetër u dashka lutur Demat që ta bëjnë. Angazhimi dhe përpikmëria e tyre askend s’e paskan lënë në baltë, s’paska ndodhur kurrë që ata të dështojnë. Po vrisja mendjen, vërtet ka ca punë që duhet kryer me sukses që me provën e parë, njeriu thjesht s’e ka luksin e dështimit, as dhe 1 herë të vetme. Psh. shkuarja në Mars, okupimi i Marsit. Ata të NASA s’më pyesin kurrë, por nëse t’kenë nevojë për sugjerime tani meqë kam filluar t’i njoh më mirë, do iu propozoja që t’i “zgjedhin” pikërisht Demat për misionin e parë.

Çështjet zodiakale të Demave u drejtuakan që nga planeti Venera, me direktiva të atjeshme i ndakan tiparet e ndjesisë veneriane për artistikat, për bukuritë e botës, për hedonistikat si dhe për dashurinë ndaj komoditetit e luksoziteteve. Nga ekspertët e astrologjikave simboli i Venerës u përshkruaka si “spiritual”, dhe si i tillë e përfaqësuaka elegancën, avancueshmërinë, sensualitetin dhe materializmin, paksa përtej racionalizmit “ordiner”.

Në rrafshin e dashurisë Demat na qenkan dashnorë të përkushtuar, ngjashëm si Dielli vetë, të pashtershëm, dhurues të ngrohtësisë marramendëse. Nëse bëhet fjalë për marrëdhëniet, Demat qenkan për “planin afatgjatë”, s’qenkan aq të interesuar për aventura, për amoriada “ad hoc”. E rëndësishme qenka që nevojat e tyre të mirëkuptohen dhe të mirëtrajtohen, pasi dashuria për ta përfaqësuaka diç skajshmërisht të shenjtë. Demat qenkan ndër zodiakët më besnikë, kurrë s’hiqkan dorë nga ndjesia e tyre, nga afeksionet e pasionet, kurrë s’i tradhtuakan rrahjet e zemrës – edhe pse, për ta mprehur sadopak vërtetësinë, aty-këtu (ashtu pafajsisht) iu pëlqyeka të flirtojnë, sa për ta siguruar ndonjë grimë vëmendje më tepër.

Pra s’duhet harruar, shenja e Tokës “taureane” u drejtuaka që nga atje larg, nga Venera (ajo pra, e dashura e Marsit, perëndesha e vetë dashurisë dhe e bukurisë kozmike). Direktivat veneriane e bëkan njërën nga shenjat më të ndjeshme, sensualizmi i Demave thjesht s’paska të sosur. Njëkohësisht të fortë dhe të vendosur, pa rezerva qenkan të përkushtuar ndaj partneritetit romantik, si dhe ndaj çdo lloji tjetër të partneritetit.

Nëse shfaqet nevoja për t’kërkuar ndihmë (meqë jetës kurrë nuk i dihet), atëherë caku parësor i të gjitha shenjave zodiakale do duhej t’ishin Demat. Asnjë sfidë a detyrë s’i befasuaka Taurus-sat. Duke i patur parasysh rezervat e pafund të durimit, të kokëfortësisë, të qëndrueshmërisë, sa i përket mbështetjes s’paska shenjë më të denjë.

Qenkan dhe paqesjellës të shkëlqyeshëm, paqeruajtës të pazëvendësueshëm, diç si ata beretë-kaltrit e OKB, durimi i tyre s’paska as kufje as kufij, padyshim dhe vetë Dalai Lama do jetë fort krenar. S’paska si shteron krenaria për ta, qëkur madje dhe nën presion arritkan performanca të jashtëzakonshme.
Pakashumë ngjashëm si ato enët e zierjes me presion, avulli brenda çmendurisht mund të fishkëllejë, ama kot… s’do ketë as “eksplozion as implozion”, ajo vrima e sigurisë mjaftueshëm e sigurtë.

Shkurt e troç taureanët qenkan të durueshëm, të qëndrueshëm, të besueshëm, e vlerësuakan bukurinë, ëmbëlsinë, butësinë, ngrohtësinë, u impenjuakan për artistikat, për trëndafilistikat, vdiskan për estetikat e kësaj bote. Me fjalë të tjera e vlerësuakan çdo gjë të rrallë, luksoze, të bardhë, të zjarrtë, të ndjeshme, të pafajshme, të butë, të urtë.
Qenkan dhe vetë të ndjeshëm, mbase jo aq sa kotelet e lazdruara, sa drenushat, sa qengjat e fushës ama e lehtë qenka të hetohet kur ata “kënaqen” me kënaqësinë.

Taurus-at ndodhka t’jenë mjaft kokëfortë për shkak se qenkan shenjë “fikse” (si justifikim), e paskan pakëz problem nëse shfaqet nevoja për akseptimin e ndryshimeve. Ndonjëherë ndodhka t’i ngulin këmbët më tepër se ç’duhet, jo vetëm në baltakun e kokëfortësisë por dhe në shkëmbin e krenarisë – individë të qëndrueshëm, të vendosur, besnikë, e vlerësuakan stabilitetin por ditkan t’sillen dhe si breshkanët e dembelosur kur përballen me detyrime të caktuara që, sipas tyre nuk i shërbejnë as kuptimit as arsyes.