Miles Solstice – Dikush është duke e studiuar trurin e Ajnshtajnit

DIKUSH ËSHTË DUKE E STUDIUAR TRURIN E AJNSHTAJNIT
Miles Solstice [ 1989-2017, ShBA ]

Kur kokëmëdhenjtë
e radhës të vdesin
a do t’i mbledhin emailat
e tyre dhe t’i publikojnë,
për ta zbuluar motivimin
rreth gjithçkaje që ata
kanë shkruar ndonjëherë,
që të ndriçohen studiuesit
dhe të kënaqen
lexuesit kureshtarë?

Shkruhet më shumë
se kurrë tani
e prapë nuk shkruhet gjë.
Dhjetëmijë elefantë
luhaten në puhizë.
Fijet e mprehta të barit
komplotojnë kundër
një luleradhiqeje.

Një albatros fluturon
pesëqind milje
pa i tundur krahët
migron nga poli në pol.
Çmimi i një banknote
qind-trilion dollarëshe.

Keni ndenjur ndonjëherë
pranë zjarrit në kamp,
derisa këpucët
nisin e shkrihen?
Dhe çfarë me gishtërinjtë
në atë rast?

– – –
© M. Solstice – Burimi: Poetry (Shtator 2019), via Poetry Foundation, ShBA
© për përkthimin S. Guraziu – Ars Poetica, 2019