“Botës…” ia shpreha indinjaten “vjershërisht” (reagim)

BIO-LAMPYRIS
(ose Peshku i Errësirës)

Senad Guraziu, 2014

S’ka frymor më thellë
që i duhet fryma,
gjallesë që i duhet jeta,
poshtë zonës eufotike
të ultësisë,
peshk i ngratë i thellësisë,
nëse nga ata pa sytë,
atëherë s’të duhet drita,
do kesh tjera guida –
ti mirë e di, Dielli i shuar
s’ka si vetëdigjet,
asnjë pishtar s’është
Feniks, as prush as hi,
as urnë, asnjë qiri,
as yll i fikur s’rindizet
pa një xixë stralli
në zemrën e tij.

Nëse e ndien irida
jote, kujtohu, ti je zhytësi
i thellësisë, Dielli
ende është aty ku ishte,
mos ki frikë, bio-dritë
është, do bësh pakëz
dritë dhe ti – herë bishtalec
i vetë bishtit do jesh,
herë mbi kokë do
zgjatesh si bisht, herë
në kërthizë “zonjash”
tërë jetën si parazit –
s’do jesh pishtar krenar
si Polaris, llamburitëse
e Babilonisë, flakadan
i pashuar në Atlantis,
kurrë mos u zhgënje,
ruaje driten dhe ata sy,
për botën tënde
mjafton një e vetme
shkëndijë, mini-llambë…
bio-lampyris.

***
mësova se “Bota Sot” i publikuaka postimet e mia me emra të huaj ! nuk u mjaftuaka “s. guraziu” (siç ma sqaruan “justifikimin” e tyre) andaj ia jepkan vetes lirinë ta përdorin cilindo emër që u shkrep mendja – kur u ankova sakaq ma “mësuan” emrin, sakaq e ndërruan, ma nisen gjoja një screenshot si dëshmi – epo hm, s’di as çfarë duhet thënë, meqë shumçka “del” jashtë botës sime (thjesht s’i kuptoj disa gjëra të “Botës…” së tyre) ua shpreha indinjaten “vjershërisht”, me një vjershë timen të para një dekade, uroj të ketë sadopak “kuptim” : )