SG – Jogurt-Cola, pije freskuese politike, 2006

JOGURT-COLA, PIJE FRESKUESE POLITIKE
S. Guraziu, 2006 (humoreskë “ortografike”, pa të keq…)

Jogurt-Cola dhe qeshja… pije joalkoholike kualitative politike, freskuese (me flladin e Grykës së Rugovës), shkumbuese (me ca shkumë huazuar nga Shkumbini)… me gurgullimë dhe ujë të Drinit të Bardhë!

Jogurt-Cola |
Cola-Jogurt |

Jogurt-Cola
Cola-Jogurt

më akuzoi,
pa lidhje insistonte
se merrem me politika,
pasi kishte marrë nga unë dy letra
ku flitej për një histori lufte që s’është ndriçuar
akoma – e pashkruar është, s’dinë as historianët gjë,
gjysma ndoshta të pavërteta, s’janë veçse fjalë të lira,
unë natyrisht i bindur ndryshe, dhe ngulja këmbë, nuk
pranoja, s’jam politikan, s’merrem kurrë me politikat
– – – – – – – – – – etiketa – me të kuqe – – – – – – –

i thosha: bëhet fjalë për dallimin mes Coca-Cola të zezë
në shishe të njëjtë, dhe asaj të bardhë (por nuk i thashë
se e dyta preferohet të pihet me cucëll, e edhe me kashtë).
Nuk bindej, ishte e kotë; dhe e lëshoi toka, s’e pashë me vite
– kur një ditë prej ditësh papritmas ia behu në shtëpinë time,
dhoma e pritjes tepër e thjeshtë, në ajri ndihej një modesti

– – – – – – – – – – – – – etiketa – fund – – – – – – – – – – –
sikur dhe në sjelljen e tij, modestia i dukej që në mustaqet,
as nuk dinte ç’të pinte, derisa e pyesja nëse Coca-Cola të
zezë donte (aso normale) apo të bardhë me shije çokolate?

Prej kur paska “t’bardhë” – ma ktheu (por jo me habi,
nuk e besonte) – keq që s’paske raki, ok mirë… një
gotë t’bardhë pra. Unë mbaja një shishe n’frigorifer
mbushur jogurt dhe ujë trazuar (shpesh tallesha me
fëmijët, Jogurt-Cola – u thosha), me kapak t’kuq
dhe me etiketën e hijshme, origjinale “Coca-Cola”.

Tani kur e pâ s’e fshehu dot habinë, ishte kureshtar,
s’kishte dëgjuar kurrë më parë, veçse nga unë për
“t’bardhë”; pa hile ia mbusha një gotë, kur e provoi
i rrotulloi sytë me inat – jogurt qenka, ti i marrë.
E pra, t’pata thënë, s’jam i politikave – sikur as ti
që nuk beson tani se ka dhe Coca-Cola të bardhë!

I habitur… priste t’ia sqaroja, por dhe unë heshta, sepse
e kuptoi çfarë do t’i thosha – Eh, ti breshkan si s’mblodhe
mend kurrë, po t’ishim unë dhe ti politikanë, as atëherë as
tani s’do të grindeshim, “poetë” dhe “politikanë” s’na ka hije
politikanët e vërtetët atje n’Amerikë rrinë bashkë përditë,
me ndërskamca bëjnë politikë, e prapë bashkë hanë e pinë,
si Pepsi dhe Coca-Cola. Hesht pra, pi dhallë të ftohtë, nuk
shterron dot, mos u brengos, sa ta kemi burimin e Drinit
dhe firmën n’bythëshishe, vulën e thatë “Made in Rugova”.

Jogurt – Cola, Cola – Jogurt, Cola – Jogurt, Jogurt – Cola
Cola – “LDK – Since 1989 – Rugova & Sons” – Jogurt

segura