SG – Portret Surrealist (IV), 2014

PORTRET SURREALIST (IV)
S. Guraziu, 2014 (Skicë…)

1.
Zemra nuk shtiret “zemërushe e ngratë”,  as prush ndjenjash, as strofull e zjarrtë – për inat të poezive, “grabitqare”, e përhumbur kaltërsive, ku vetëm shqipeve na u paska hije…

Zemra i njeh rutat, shtigjet e lartësive, frymën e art-fjalës, frymën e vetë frymës, madje dhe simbolet, çdo relikt germatik, “stampuar” e ruan gjithë kodin poetik…

2.
Shqipet fluturojnë lart, lirinë s’ua fal kush, e vjedhin në fakt, njësoj dhe dashurinë, si Plutoni të ngratën Proserpinë, e mbajnë peng pa “kushte”, si Kalipsoja pafajësinë, “leksion” pra i lashtësisë, dhe vetë shqiponja e Zeusit njëjtë – privilegj i mitologjisë…

Pas flatrash… diellin në shpinë, symprehur i vërsulen dashurisë, sepse e dinë, Kupidoni verbohet nga dielli në sy – i hapin zemrat si teori, eksperiment “poetik”, mirëfilli… poezi, furrë suprematike e ndjesisë!

[ fotoja: Robert O’Toole, 2016 ]